Katër shtylla e 3 gola, Portugalia siguron finalen e Europianit të futsalës

Ishte një gjysmëfinale luksi, me një sasi të tillë talenti që rrallë është parë në fushat e futbollit në sallë. Përballë ishin Portugalia e Spanja në përballjen që erdhi pas derbit të ashpër Rusi-Ukrainë në Amsterdam të Holandës. Portugalia, kampione e botës në fuqi në futsal, ndeshej me Spanjën, 7 herë kampione e Europës. Dueli i respektoi parashikimet dhe pritshmëritë duke dhënë emocione të fuqishme. Portugalia goditi 4 herë shtyllat në pjesën e parë, por e mbylli atë me humbje 0-2, për të fituar 3-2 pas pushimit. Raul Gimenes dhe Çino i dhanë fitoren spanjollëve në pjesën e parë, por portugezët nuk u dorëzuan. Bruno Koeljo me penallti dhe pastaj talenti i ri, Ziki, përmbysën shifrat, me këtë të fundit që shënoi dy gola. Portugezët besohet se do të jenë favoritë ndaj Rusisë në finalen e së dielës, ndonëse gjithçka mund të ndodhë.

Sfidanti.al