Karriera 40-vjeçare përfundon, legjenda Myler-Volfart ikën nga Bajerni!

Cili njeri në futboll mund të mburret se ka punuar 41 vjet me radhë në një klub të vetëm, për më tepër të madh, dhe madje edhe 20 vjet në kombëtare? Askush tjetër përveç legjendës Myler-Volfart, doktorit që i tha “lamtumirë” Bajernit të Mynihut për t’u pensionuar në moshën 78-vjeçare. “Që nga Franc Bekenbauer e Gerd Myler, Klaus Augentaler apo Bastian Shvajnshtajger, apo Tomas Myleri e Robert Levandovski, të gjithë ne i detyrohemi një falenderim të madh Mulit”, – ishte deklarata e shefit ekzekutiv Karl-Hajnc Rumenige.

Me emrin e plotë Hans-Vilhelm Myler-Volfart, që vetëm gjermanët mund të kenë durim për ta lexuar deri në fund, doktori mbërriti tek Bajerni në vitin 1977, kur ishte 35 vjeç, dhe pati vetëm dy largime të përkohshme. Në 2008, për 5 muaj, pasi u zu me Jurgen Klinmanin që në atë kohë ishte trajner, dhe në periudhën 2015-2017, kur u përplas me Pep Guardiolën, që e akuzoi se lojtarët po dëmtoheshin shumë. Në të dy rastet, u kthye bashkë me Jup Hajnkesin. Për 20 vjet, ai punoi si mjekt i kombëtares së Gjermanisë, dhe u largua pas Kupës së Botës 2018 në Rusi.

“Kur unë hedh sytë në 40 vitet e kaluara tek Bajerni, jam shumë i lumtur dhe i kënaqur, – u shpreh Myler-Volfarti, – një përvojë e jashtëzakonshme, suksese të mëdha, ndërsa njoha dhe punova me kaq shumë njerëz që lanë përshtypje të pashlyeshme tek unë. i uroj Bajernit gjithë të mirat në të ardhmen”.

Sfidanti.al