Kaos për Halandin, dëshiron La Ligën apo Premier Ligën?

Mediat në Europë po shkruajnë sot diçka të kundërt me atë që po shkruanin dje. Sipas “Bildit” në Gjermani, “El Mundo Deportivos” në Spanjë dhe “Deili Meilit” (Daily Mail) në Britani të Madhe, Erling Halandi dëshiron të luajë në Premier Ligën angleze. Pak javë më parë, të gjithë ishin të bindur se zgjedhja e preferuar e sulmuesit norvegjez ishte La Liga e Spanjës, konkretisht Reali ose Barcelona. Sipas lajmeve të sotme, klubi favorit për të marrë yllin 21-vjeçar është Mançester Siti. Me gjasë, Halandi mund të ketë dyshime për Realin, ndërsa thuhet se i është kërkuar që të presë një vit. Përsa i përket Barcelonës, informacioni është që katalanasit e duan yllin e Dortmundit madje kanë pasur takime me Raiolën. Gjithsesi, arsyetimi është që Halandi kërkon të provojë veten në kampionatin më të fortë në botë, dhe kjo e bën Sitin favorit.

Sfidanti.al