Në shoqërinë njerëzore mbi gjithçka vlen mbijetesa, dhe përshtatja. Edhe kur kjo shoqërohet me miliona viktima, apo miliona njerëz të paushqyer dhe pamjekuar siç duhet, sërish mbetet fakt ndërsa globalizmi për momentin nuk bën dot më tepër sesa të pasurojë një pakicë dhe të japë një shpresë të zbehtë, edhe pse reale, për të ardhmen e largët. Erik Kantona ndezi një debat me fjalët e tij se “nuk kam ndërmend ta shikoj Kupën e Botës në Katar, pasi mijëra punëtorë kanë vdekur për të ndërtuar stadiumet”. Kjo është e vërteta në dritën e diellit, edhe pse këto të vërteta vështirë se marrin “vulë” në sallat e gjyqeve që krijon njeriu.
Sidoqoftë, në të katër anët e botës ende ka, ndërsa ka pasur shumë më tepër, histori të sakrifikimit të njerëzve për të ndërtuar veprat e shtetit apo të individëve të fuqishëm. Nga Kina, Afrika, Azia apo edhe Amerika e Jugut, për të mos harruar edhe zona të tëra periferike të Europës e SHBA-së, vazhdojnë të jetojnë të mjerët. Në të kaluarën, vdekja e tjetrit për të krijuar pasuri ka qenë parim i perandorime koloniale, dhe kështu u ndërtuan metropolet në Britani, Francë, Spanjë, Belgjikë apo Holandë. Kështu u ndërtua Roma e Lashtë, ndërsa një rast që dihet është ai i Shën Peterburgut, qytetit të ndërtuar nga Car Pjetri i Madh i Rusisë, në punimet e të cilit thuhet se vdiqën 30 000. Duket se këto vdekje që kanë ndodhur 3 shekuj më parë janë harruar, dhe miliona njerëz qetësisht shkojnë vizitojnë Pallatin e Katerinës, Pallatin e Dimrit, Hermitazhin, Teatrin Marijnski, Teatrin Aleksandrinski apo Smolnin.
Sfidanti.al