Debati me gjasë nuk do të përfundojë ndonjëherë, dhe mendimet janë nga më të ndryshmet. Cili është lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë në NBA, Majkëll Xhordani apo Lebron Xhejmsi? Të paktën, flitet për këta të dy, ndonëse yje të mëdhenj ka pasur edhe të tjerë si Bill Rasëll, Karim Abdyl Xhabar, Uilt Çembërlen, Mexhik Xhonson, Lerri Bërd apo Kobi Brajant, sa për të përmendur vetëm ata të “Olimpit”.
Ndërhyrja e radhës bëhet nga një kampion i dyfishtë i NBA-së, qendra e Detroit Pistonsëve të viteve 80-të, Bill Leimbiër (Laimbeer), i cili “voton” në favor të yllit të sotëm, pra Lebronit. “Gjëja më e rëndësishme është që sapo mbërriti në Ligë, Lebroni diti sesi të ndikojë tek shokët e skuadrës për të fituar, diçka që Xhordanit iu desh kohë që ta mësonte, – u shpreh ai, – për këtë arsye, është lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë në NBA. Është 2.03 metra, peshon 120 kg dhe luan si anësor. Ka qenë gjithnjë i qendrueshëm në këto cilësi dhe kjo e bën më të mirin. Natyrisht, nëse krahason titujt, Majkëll Xhordani ka më shumë (6 me 3), por mendoj se Lebroni është më lart”.
Sfidanti.al