Për të është një komplot, por jo i futbollistëve. Andreas Brehme, kampion i botës në 1990 me Gjermaninë Perëndimore, fajëson Uli Hënesin për shkarkimin e Karlo Ançelotit si trajner i Bajernit. “U fol për komplot nga ana e lojtarëve, por është diçka absurde, – tha Brehme, – të gjithë lojtarët e Bajernit janë kampionë që duan të fitojnë, le të mos bëjmë shaka. Vendimi është marrë nga Uli Hënes dhe Hasan Salihamixhiç, por unë jam totalisht në krah të Karlos”.
Brehme spjegon se Bajerni nuk është më ai i dikurshmi. “Vitet e fundit ka qenë e pamundur të fitohet Liga e Kampionëve, – tha ai, – Reali e Barcelona kanë qenë superiorë. Është e vërtetë që Ançeloti la ndonjë lojtar në stol, por ka pasur arsye. Riberi e Roben tashmë janë të vjetër, 34 e 33 vjeç, dhe në fushë duhet të luajnë ata që janë më shumë në formë”. Më tej, mbrojtësi i krahut, që realizoi penalltinë e fitores në finalen e Botërorit ndaj Argjentinës, ngre dyshime për fatin e trajnerit që do të pasojë Ançelotin. “Flitet shumë për Nagelsmanin e Hofenhajmit, por është diçka tjetër të drejtosh Bajernin”, – përfundon Andreas Brehme.