Juventusi kalon edhe në Gjenovë ndaj Sampit, a thua e fiton titullin?!

Nuk është e këshillueshme që këtë ekip ta heqësh nga llogaria. E pamundur që Juventusi të mos e ketë rastin për të fituar trofe dhe të mos e shfrytëzojë, aq më shumë kur ka në stol një trajner me kaq shumë përvojë sa Masimiliano Alegrin. Fitorja 3-1 në fushën e Sampdorias ishte konfirmimi se “Zonja e Vjetër” është kthyer në garë. Në stadiumin “Marasi”, piemontezët ishin gjatë gjithë kohës në epërsi me autogolin e Joshidës dhe golin me penallti të Alvaro Moratës. Vendasit humbën 11-metërsh, pastaj shënuan me Sabirin, por ishte sërish Morata që vulosi për 3-1. Juventusi pati shumë mungesa, mes të cilëve edhe Dibala i dëmtuar, dhe Vlahoviç që u la fillimisht në stol, por kjo nuk i prishi punë. Ish-kampionët kanë tani 56 pikë në 29 ndeshje, vetëm 1 më pak se Napoli që ka një ndeshje më shumë për të luajtur, dhe dy më pak se Interi që ka 2 ndeshje mangut. Milani kryeson me 60 pikë dhe 28 ndeshje.

Sfidanti.al