Sulmuesi polak shënoi një tjetër gol, ishte i 43-ti i sezonit, ndërsa mbetet shpresa më e madhe për trofe këtë edicion. Robert Levandovski shpëtoi të paktën pikën për Bajernin në fushën e Hofenhajmit, ndërsa trajneri Julian Nagelsman nuk pati një pasdite shumë të bukur në rikthimin në stadiumin e ish-skuadrës së tij. Leva siguroi barazimin 1-1 në minutën e 3-të shtesë të pjesës së parë, ndërsa Kristof Baumgartner kishte shënuar për ekipin vendas. Barazimi nuk i prishi shumë punë bavarezëve sepse mbajnë kreun e Bundesligës me 60 pikë në 26 ndeshje, 10 më shumë sesa Dortmundi që do të luajë këtë të diel, ndërsa duhen edhe 8 javë deri në përfundim. Titulli duket “në xhep”, ndërsa synimi është Championsi. Angazhimi në Europë ishte edhe një nga arsyet që Bajerni nuk ishte në maksimum, dhe u ndje disi i lodhur pas fitores 7-1 ndaj Salcburgut. Pas golit të radhës të Levandovskit, vazhdon të jetë aktuale pyetja sesi ka mundësi që Bajerni sërish vazhdon të mendojë që polaku të largohet! Si ka mundësi që nuk i ofrohet rinovimi i kontratës që përfundon në 2023? Dyshimet mbeten për moshën 33-34-vjeçare, por gjithsesi “makineria e golave” nuk po ndalet.
Sfidanti.al