Cila mund të quhet “shashkë” dhe cila goditje “me municion të vërtetë”?! Juventusi nuk është mëtues i ri në garën për Nejmarin, por është klubi që solli lajmin më të ri për transferimin e ri rekord të futbollit botëror. Media braziliane, “Globoesporte.com” njofton se kampionët e Italisë kanë bërë ofertën më të fundit për supertalentin 27-vjeçar, të përbërë nga 100 milionë euro, plus kartonin e Paulo Dibalës.
Besohet se ky është vlerësim pak më i ulët sesa mendon Paris SG, pasi Dibala vështirë se shkon mbi 100 apo 110 milionë euro, por gjithsesi oferta duket serioze, gjithnjë nëse nuk është “shashkë”. E sigurt është që në prapaskenë zhvillohen bisedime të çmendura, dinake, pa asnjë besim ndërpalësh, por vetëm për t’ia hedhur tjetrit, dhe për të gjetur formulën që të kënaqë Nejmarin dhe parizienët. Juventusi nuk u mor seriozisht as kur pretendoi Kristiano Ronaldon, por portugezi sot ndodhet në Torino.
Sfidanti.al