Junajtid, edhe Fergi për “misionin e mundur”, me frymën e 1999-ës!

Finalja e Championsit në vitin 1999 do të mbahet mend gjithnjë, si një nga më dramatiket e të gjitha kohëve, ndoshta më dramatikja nga të gjitha. Bajerni ishte në epërsi deri në minutën e 91-të, duke goditur edhe dy herë shtyllën, por pikërisht në kohën shtesë, Tedi Sheringam dhe Ole Gunar Solskjer i dhanë fitoren Mançester Junajtidit.

Pikërisht Solskjer është në stolin e skuadrës së sotme të “djajve të kuq”, që shkon drejt një misioni tjetër thuajse të pamundur, atij të përmbysjes së humbjes 0-2 të humbjes së parë në “Old Traford”, ndaj Paris SG. Në kryeqytetin e Francës, sipas mediave britanike, do të duhet pikërisht fryma e vitit 1999 për t’ia dalë.

Si një kujtim i gjallë i 20 viteve më parë, bashkë me ekipin erdhi udhëtoi edhe trajneri legjendar i asaj kohe, Sër Aleks Ferguson. Solskjer mendon se të besuarit e tij mund t’ia dalin, por do të ishte një e papritur e jashtëzakonshme, jo vetëm për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë, por edhe të gjendjes së Junajtidit.

Anglezët janë në Paris pa 10 lojtarë, pasi Pol Pogba është i pezulluar, dhe Antoni Marsial, Aleksis Sançez, Nemanja Matiç, Xhesi Lingard, Huan Mata, Ander Herrera, Antonio Valensia, Fil Xhons dhe Mateo Darmian janë që të gjithë të dëmtuar. Gjithsesi, Solskjer pohoi pa asnjë fije dyshimi se “kurrë nuk ka misione të pamundura”.

Sfidanti.al