Izmir Smajlaj, tri herë kampion i Ballkanit në atletikë, tani synohet Europiani!

Ende nuk është në formën maksimale, por edhe kaq mjafton. Izmir Smajlaj e ka klasin që edhe me rezultat të mirë, por jo të shkëlqyer të triumfojë në Gadishullin tonë, dhe kështu bëri edhe në Stamboll të Turqisë, duke dalë kampion i Ballkanit në salla të mbyllura. Atleti shqiptar fitoi medaljen e artë në garën e tij të kërcimit së gjati, duke lënë pas rivalët me rezultatin 7 metra e 91 centimetra.

Ishte ky një konfirmim i 27-vjeçarit, pasi edhe vitin e kaluar doli kampion i Ballkanit madje me të njëjtin rezultat. Kërcimin fitues, shkodrani e realizoi në provën e dytë, ndonëse edhe herën e parë pati rezultat 7.88 metra. Smajlaj është tri herë kampion i Ballkanit për salla të mbyllura, në vitet 2018, 2020 e 2021, ndërsa në 2019 fitoi medaljen e argjendtë, pra vendin dytë.

Shqiptari ka si rezultat maksimal, fitoren e medaljes së artë në Kampionatin Europian për salla të mbyllura në Beograd në 2017 me rezultatin shumë të mirë 8.08 metra, që është edhe rekordi i Shqipërisë në këtë kategori. Rekordi absolut, ai në stadium është 8.11 metra i vendosur në Shkodër në 2019. Synimi i atletit më të mirë shqiptar tek meshkujt është përfaqësimi sa më i mirë në Kampionatin Europian për salla të mbyllura që mbahet në Arenën e qytetit Torun në Poloni nga 5 deri në 7 mars.

Sfidanti.al