Nëse duhej një provë ajo u dha sot. Teuta e tregoi në duelin direkt me kampionët e vendit se është pretendente serioze për titullin kampion, duke fituar e duke e merituar. Të besuarit e trajneri Edi Martini dominuan në “Selman Stërmasi” ndaj një Tirane që nuk po arrin të largojë krizën e një sezoni të mallkuar, vetëm një edicion pas fitores së titullit të parë në 11 vjet. Sfida e Superligës u vendos nga një gol i hershëm i shënuar për durrsakët nga Lorenco Vila që në minutën e 21-të, por rezultati mund të kishte qenë shumë më i thellë. Epërsia e miqve ishte tepër e madhe dhe ata humbën raste, të ndalur disa herë edhe nga portieri Beka.
Pra, mund të themi se Vllaznia e ka gjetur një tjetër rival, përveç Partizanit? Padyshim që po, edhe pse Teuta nuk e ka emrin dhe përvojën e të kuqve. Me katër pikë diferencë me vendin e parë, dhe me një ekip të përbërë nga lojtarë shumë të mirë si dy Vilat, portieri Frashëri, Krasniqi apo Devi Bregu, trajneri Martini ka më shumë alternativa në dispozicion. Jo më kot, bregdetasit janë ekipi më pak i mundur i sezonit, me vetëm dy humbje. Po Tirana si mund të përfundojë? Me vetëm 26 pikë dhe në vendin e 6-të në renditje, bardheblutë rrezikojnë edhe të mbeten jashtë Ligës së Europës sezonin e ardhshëm, gjë që do të ishte një goditje e rëndë financiare, ndërsa ndaj Teutës mungoi trajneri Orges Shehi që ishte i sëmurë.
Në Europë ka shanse për të shkuar Laçi, gjithashtu një pretendent për titull, që fitoi 1-0 në fushën e vet ndaj Kastriotit me gol të shënuar nga Lushkja. Në luftën për mbijetesë, Bylisi arriti një fitore të artë 1-0 në fushën e Apolonisë.
Sfidanti.al