Të Kaltrit janë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, ku ndodhen edhe Kroacia me Holandën, ndërsa pritet nëse do të jetë edhe Portugalia, apo Spanja. Pas fitores së merituar ndaj Anglisë në “San Siro”, Italia triumfoi 2-0 në finalen e Budapestit ndaj Hungarisë. Nuk ishte një fitore e “katenaços”, dhe në fund të fundit Roberto Mançini kurrë nuk e ka pëlqyer atë mënyrë loje, as kur ishte yll i sulmit të Sampdorias së trajnerit të paharruar Vujadin Boshkov. Italianët mbajtën topin pak më shumë, patën 6-2 kornet, 535-469 pasime dhe 13-11 gjuajtjet (5-3 në portë).
Ylli i ri, Xhakomo Raspadori dhe më pas Federiko Dimarko i Interit shënuan golat për Të Kaltrit që përballuan atmosferën e vështirë në stadiumin “Ferenc Pushkash” të Budapestit përballë një publiku të zjarrtë në mbështetje të skuadrës së zemrës. Italia ka 11 pikë ndaj 10 të Hungarisë, me Gjermaninë që u detyrua të kënaqej me 7 dhe Anglia që ra nga kategoria me vetëm 3 pikë. Italianët e treguan krenarinë e tyre si kampionë të Europës në fuqi, por gjithsesi zhgënjimi për mungesën e Kupës së Botës nuk kalon. Katarin do ta shohin nga shtëpia.
Italia (3-5-2): Donaruma, Toloi, Bonuçi, Açerbi (Bastoni 46’), Di Lorenco (Maxoki 90’), Barela, Zhorginjo (Pobega 72’), Kristante, Dimarko, Raspadori (Skamaka 75’), Gnjonto (Gabiadini 65’).
Sfidanti.al