Italia bashkohet me Francën, Spanjën e Belgjikën, pas “simfonisë” së Sarajevës!

Mungesat nuk janë problem për këtë skuadër, siç nuk po duken aspak të tilla për Liverpulin e Jurgen Klopin. Italia sundoi një tjetër ndeshje, atë në stadiumin “Koshevo” të Sarajevës, duke mos pyetur për faktin se më shumë se gjysma e mbrojtjes nuk ishte (Bonuçi, Kielini) e po kështu sulmuesi kryesor, Çiro Imobile. Me Roberto Mançinin (në shtëpi me Kovid), italianët kanë një lojë të vetën, që luhet nga kushdo del në fushë, ndërsa nga koha gri e Venturës, jemi në një lulëzim të të kaltërve. Andrea Beloti dhe Domeniko Berardi shënuan golat, nga një në çdo pjesë loje ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Insinje goditi shtyllën, ndërsa miqtë humbën shumë raste. Kjo e bëri pa vlerë suksesin e vonshëm të Holandës në Poloni, 2-1, me gola të Memfis Depait me penallti dhe Vajnaldumit.

“Kjo Itali është gjithnjë një spektakël, – shkruajti “La Gazeta delo Sporti”, – jemi në katërshen finale pas 2-0 me Bosnjën!” “Një dhuratë e bukur për Mançinin, – tha trajneri Evani, – Belgjika, Spanja dhe Franca janë skuadrat më të mira të Europës, dhe ne mezi presim që të ndeshemi me to. Të provojmë veten! Në këto ndeshje kurrë nuk kemi harruar të luajmë futboll, edhe pse kemi pasur 21 mungesa”. Insinje vlerëson forcën morale të ekipit dhe shton se “po japim gjithçka për fanelën”.

Sfidanti.al