Ky ekip vitin e kaluar “të kënaqte shpirtin” me lojë, edhe pse në fund “vrau veten” dhe humbi titullin. Këtë Interi besoj e keni harruar dhe ndonëse trajneri është i njëjti, në plan të parë ka dalë pragmatizmi. Zikaltërit ia dolën pikërisht kështu ndaj Veronës në “San Siro”, me një gol që në minutën e 3-të nga Lautaro Martinez. Më pas, milanezët bënë pak, ndonëse e morën fitoren sepse veronezët bënë edhe më pak, duke gjuajtur vetëm një herë në portë. Publiku ishte prej 70 000 vetësh në “San Siro”, dhe brohoriti fort në fund sepse u arrit fitorja e 8-të në 10 ndeshjet e fundit të Serisë A. Tashmë, lombardët kanë arritur Juventusin në kuotën e 37 pikëve dhe janë vetëm 1 pikë prapa Milanit, edhe pse Napoli po zhvillon një kampionat tjetër. Pak minuta këtë herë për Asllanin dhe pavarësisht dëshirës sonë për ta parë në fushë, ishte normale pas 120 minutave në Kupë në mesjavë. Gjithsesi, mesfushori shqiptar iu afrua golit të dytë me një gjuajtje të rrezikshme nga jashtë zone.
Sfidanti.al