Hazar do të jetë një “djalë i mirë” deri në verë, pastaj rebelohet!

Çelsi po kalon momentin më të vështirë të sezonit, me trajnerin Mauricio Sarri në mënyrë të pabesueshme nën kritika të ashpra, ndërsa ylli kryesor, Eden Hazar, duket se kërkon të bëjë “paqeruajtësin”. Belgu i shkëlqyer mësohet se ka deklaruar se nuk do t’i bëjë presion klubit për të shkuar tek Reali tani në janar, dhe kjo sepse nuk dëshiron t’i prishë punë skuadrës.

Blutë e Londrës kanë deklaruar se do të kërkojnë të paktën 110 milionë euro për kartonin e tij, dhe Reali besohet se është i gatshëm t’i paguajë menjëherë këto para, pasi ka nevojë të forcojë skuadrën për të synuar trofetë në gjysmën e dytë të sezonit.

Gjithsesi, presidenti Florentino Perez nuk ka ndëmend t’i hyjë një lufte me Roman Abramoviçin për Hazarin dhe është gati të presë deri në verë. Po ashtu, Hazar pëlqen më mirë të jetë korrekt me tifozët dhe me shokët e skuadrës, si dhe me trajnerin, i cili e ka ndihmuar të luajë në mënyrën e duhur, ndryshe nga Antonio Konte.

Superylli 28-vjeçar ka shënuar 12 gola e ka shërbyer 10 asistë deri tani, aspak gjë e vogël për një lojtar që nuk është sulmues. Hazar është i dëshpëruar që Çelsi nuk i jep mundësi të luftojë për Championsin, as për titullin kampion, ndërsa rrezikon edhe kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al