Ata që janë pranë tij thonë se mendjen e ka ndarë dhe se e ka të qartë preferencën. Nuk ka nevojë që Harri Kejni të largohet shumë nga Londra, madje as të ikë jashtë Anglisë. Për të, do të ishte shumë mirë nëse do të vishte fanelën e Mançester Junajtidit. Zërat në ishull janë që “djajtë e kuq” janë më të interesuar se kushdo tjetër për kapitenin e Anglisë, porse do të duhet të bindin presidentin e Totenhemit, Daniel Levin, i cili pranon ta humbasë Kejnin vetëm kundrejt 200 milionë paundëve stërlina. E “përkthyer” në mbi 227 milionë euro, kjo shifër është rekordi i ri botëror i transferimeve. Nuk dihet nëse në “Old Traford” janë gati të paguajnë kaq shumë, dhe shumëçka do të varet nga vazhdimësia e krizës nga koronavirusi. Gjithsesi, nëse merret kapiteni i Anglisë, do të thotë se Mançester Junajtidi jep një sinjal të madh për Premier Ligën dhe për Europën, që mund të kthehet në pretendimet e mëdha si dikur.
Sfidanti.al