Bajern, si e humbe Varanin vetëm për 4-5 milionë euro në 2011?!

Ka ndodhur shumë vite më parë dhe është një histori tipike gjermane e Bajernit, ndonëse gjërat sot kanë ndryshuar, madje jo pak. Një francez i shquar i bavarezëve, Vili Sanjol, kishte marrë informacion për një talent të ri dikur në Lens. Ish-mbrojtësi, që në 2011 punonte si skaut në Mynih, dhe një mik i tha se duhej të shkonte patjetër në Lens. Shkoi atje dhe ndoqi një djalë të ri, 18-vjeçar, me emrin Rafael Varan, që i bëri përshtypje të madhe. Një pjesë loje luajti si mesfushor, një tjetër si mbrojtës, dhe Sanjoli u kthye në Mynih me rekomandimet në xhep.

“Duhet ta marrim këtë lojtar, – tha ai, – gjithë puna mund të mbyllet me 4-5 milionë euro”. Tek Bajerni atëherë kishte mentalitet tjetër, dhe i thanë se 5 milionë euro ishin shumë për një 18-vjeçar. Kaq u desh, kaloi shumë pak kohë dhe Reali i Madridit nuk e quajti shumë që të paguante 10 milionë euro për Varanin. Sot Varani ka vlerë kartoni 64 milionë euro, dhe kontratë në “Bernabeu” deri në 2022, përveçse është shpallur kampion bote me Francën.

Sfidanti.al