Hajnkes motivon Bajernin, me përmbysjen e madhe ndaj Interit

Ishte mbrëmja e 7 dhjetorit 1988 dhe luhej në një nga stadiumet më të vështirë të Europës. Bajerni dilte përballë Interit në “San Siro” pasi ishte mundur 0-2 në “Olimpiashtadion”, me gola të shënuar në pjesën e dytë nga Aldo Serena dhe Nikola Berti, pra duke qenë vetëm një hap larg eleminimit nga Kupa UEFA.

Bavarezët, ndryshe nga parashikimet, shkruajtën një nga faqet më të rëndësishme të historisë së tyre europiane, duke triumfuar 3-1 në stadiumin mitik italian. Plot 75 000 tifozë mbetën të çmeritur kur gjermanët arritën epërsinë 3-0 në vetëm 8 minuta të pjesës së parë, me autor të golave Volfartin (33’), Augentalerin (37’) dhe Vegmanin (41’). Goli i Serenës në fund të pjesës së parë nuk ndryshoi dot fatin e ndeshjes.

Në stolin e atij Bajernit ishte Jup Hajnkes, ashtu si edhe sot, ndërsa përballë bavarezëve ishin dy gjermanë të mëdhenj si Lotar Mateus e Andreas Brehme, që të dy lojtarë të larguar nga Mynihu në verë të 1988-ës. Formacioni nga Mynihu ia doli me emra jo shumë të shquar si Grahamer, Nahtvajt, Pflygler , Dorfner, Vegman apo Volfart. Me siguri, Hajnkes duhet t’ua ketë përmendur lojtarëve të tij sot, mrekullinë e 30 viteve më parë.

Sfidanti.al