Guardiola nuk deshi t’i ofendojë tifozët e tij, por as nuk mundet t’i kuptojë!

Një konflikt në dukje i kotë shpërtheu tek Mançester Siti, dhe kjo mes trajnerit e përkrahësve të skuadrës kampione të Anglisë. Në fillim, Pep Guardiola shprehu pakënaqësinë që stadiumi nuk ishte i mbushur plot për ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Fulhamit, por tifozë u përgjigjën shumë shpejt. “Duket se trajneri ynë nuk e kupton gjendjen tonë financiare gjatë kohëve të tanishme, prandaj flet kështu”, – shpërthyen ata në rrjetet sociale.

Në “Etihad” ishin pak më shumë se 39 000 në krahasim me kapacitetin prej 55 000 vendesh, dhe Pepi shpreson që impianti të jetë i mbushur plot për gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Ligës ndaj Mançester Junajtidit. Ai u detyrua të kërkonte falje. “Nuk desha në asnjë mënyrë të ofendoja tifozët tanë, – u shpreh Pepi, – unë e kuptoj gjendjen e tyre. Ata janë pjesë e jona dhe unë u jam shumë mirënjohës”. Edhe më parë, Guardiola kishte pasur kritika për tifozët, duke i quajtur jo aq të zjarrtë sa ata të Liverpulit, p.sh.

Guardiola thotë se i kupton tifozët, i quan edhe pjesë e klubit, por e vërteta është se ai nuk mundet t’i kuptojë, pasi jeton realitet tjetër, dhe pjesë e klubit tifozët janë vetëm për 90 minutat e ndeshjeve, gjithë kohën tjetër, ata vuajnë shumë më tepër se klubi për të siguruar jetesën për familjen.

Sfidanti.al