Treshja e madhe duket sikur nuk do të largohet kurrë. Rozher Federer e Novak Gjokoviç do të duelojnë edhe një herë në Australian Open, pasi që të dy kampionët u kualifikuan për në gjysmëfinale. Fillimisht, legjenda zvicerane realizoi një çudi të vërtetë ndaj suedezit Sandgren, duke fituar 3-2 me sete, pasi shpëtoi 7 topa për mbylljen e ndeshjes. Sandgreni e pati ndeshjen në dorë, por Federeri nuk u dorëzua deri në fund dhe ia doli mbanë. Mats Vilander, legjenda suedeze e tenisit e përkufizoi shkurt si “habi të madhe” këtë që bëri zvicerani 38-vjeçar. Kjo ishte ndeshja e dytë me 5 sete e Rozherit në Melburn dhe nuk dihet sesa do të ndikojë fizikisht tek ai.
Gjokoviç, ndërkaq, e pati më të lehtë pasi mundi 3-0 kanadezin Millosh Raoniç. Setet ishin 6-4, 6-3 e 7-6, pra jo plotësisht e thjeshtë, veçse kampioni në fuqi nuk e diskutoi kualifikimin. Pas 3 orësh lojë, Nole “preu biletën” për në gjysmëfinale, ku do të luajë ndeshjen e 50-të me Federerin. “Nuk dua të komentoj këtë duel, – tha Gjokoviçi, – nuk kam dominuar ndaj Rozherit, por kam arritur suksese”.
Sfidanti.al