Ishte viti 1985 dhe luhej finalja e Kupës Interkontinentale, siç është Botërori i sotëm për klubet. Përballë ishin Juventusi i Europës dhe Argentinos Juniors i Amerikës së Jugut, dhe aty u shënua ai që cilësohet si goli i anuluar më i bukur i historisë së futbollit. Autor i tij ishte legjenda e Francës, Mishel Platini, që e shënoi me fanelën juventine, pas zhvillimit të një goditjeje nga këndi, kaloi topin me të djathtën mbi kokën e mbrojtësve, dhe e goditi menjëherë në ajër me të majtën. Anulimi erdhi për pozicion jashtë loje (pasiv) të Aldo Serenës, dhe gazetarët italianë e cilësuan anulimin si “krim”. Platini protestoi sipas mënyrës së tij, duke u shtrirë në fushë sikur po flinte gjumë (në foto), si dhe duke duartrokitur lehtazi ironikisht. Ndeshja përfundoi 2-2 dhe Juventusi fitoi pas gjuajtjes së penalltive në stadiumin e Tokios.
Sfidanti.al