Kevin Durant është një basketbollist i madh, që nuk qëndron shumë më poshtë sesa Lebron Xhejms. Kur ai ka në krah kampionë të tillë si Stefën Kërri apo Klej Tompson, pa harruar Drejmond Grinin, bëhet i papërmbajtshëm. Kështu i ndodhi në përballjen e tretë të raundit të dytë të plej ofit në NBA, në fushën e Juta Xhazit.
Rreth 19 000 spektatorë në Arenën e shkëlqyer të qytetit Solt Lejk Siti, ndoqën një shfaqje të vërtetë të Durantit që shënoi 38 pikë dhe kapi 13 topa në tabela, ndërsa Golden Stejti fitoi jashtë fushe 102-91. Tashmë, Uorriorsi kryeson 3-0 në gjysmëfinalen e Konferencës së Perëndimit dhe është vetëm një fitore larg kualifikimit. Ashtu si Klivlendi kampion, edhe nënkampionët i kanë fituar të 7 ndeshjet e plej ofit deri tani.
Numri 35 u ndihmua nga Stefën Kërri që shënoi 23 pikë, ndërsa për vendasit nuk mjaftoi Gordon Hajard që realizoi 29. Hajard u përpoq të mbulonte Durantin, por nuk ia doli. “Unë kam detyrë të shënoj vazhdimisht dhe të bëj gjërat e tjera, – tha Durant, – ndonëse në ndeshjen e ardhshme nuk do të jetë kështu, por unë do të përpiqem”.
Sfidanti.al