Goditje me grusht dhe prekje me dorë, por nuk jepet asnjë penallti!

VAR-i vazhdon të shkaktojë polemika, ndonëse duket se është më shumë në natyrën e njeriut (të sotëm) për të mos hapur rrugë e për t’u përplasur.  Mançester Siti ishte me fat në stadiumin e Leisterit, sepse të dy vendimet e rëndësishme teknologjia i dha në favor të kampionëve. Në fillim, një goditje me grusht (kuptohet, pa dashje) e portierit Ederson ndaj sulmuesit vendas, Ikeanaço, bëri që ky të shtrihej në tokë i nokautuar. Gjithçka ndodhi brenda zone dhe specialistët e VAR-it konkluduan se portieri brazilian kishte goditur më parë topin.

Më pas, Kevin De Brujn devijoi me dorë një top të gjuajtur nga goditja e dënimit, por VAR-i sërish nuk ishte për penallti duke theksuar se mesfushori belg po mbronte fytyrën. Një penallti, ndërkaq, u dha për Sitin, por u humb nga Kun Aguero, falë pritjes së shkëlqyer të portierit Kasper Shmajkel të Danimarkës. Kjo ishte penalltia e 5-të e humbur nga Siti, në 7 tentativat e fundit!

Sfidanti.al