Gjokoviçi nuk fut gjë në gojë 16 orë në ditë dhe fiton … Grand Sleme!

Pak ditë më parë shkaktoi polemika të forta kur deklaroi se nuk ka ndërmend të vaksinohet për koronavirusin, qoftë edhe sikur t’i dëmtohet karriera. Së fundmi, Novak Gjokoviçi deklaroi se prej disa kohësh ka ndryshuar mënyrën e të ngrënit, dhe se ndihet shumë më mirë. Në bisedë në instagram me një profesor doktor serb, numri 1 i tenisit botëror u shpreh se nuk fut gjë në gojë për 16 orë në ditë, ndërsa 8 orë të tjera ushqehet, kuptohet me dietë dhe me masë.

Një gjë e tillë ka lidhje me autofaginë, me procesin që ndodh në vetë organizmin njerëzor për shkatërrimin e qelizave të vjetra dhe që nuk hyjnë në punë, dhe që me përbërësit e tyre të krijojnë struktura që i duhen trupit. Është gjë e ditur nga shkenca se agjërimi i bën mirë autofagisë, diçka që teologët e shpjegojnë nëpërmjet ndikimit të fesë apo të Zotit, ndërsa shkencëtarët e shpjegojnë thjesht me arsyet praktike të zhvillimit të jetës. Gjokoviçi thekson se prej një viti po ecën me praktikën e re dhe se ndihet më mirë se më parë, gjithnjë me energji, dhe nuk ka ato rëniet e papritura që i ka vuajtur në të kaluarën.

Sfidanti.al