Dele Ali me siguri që nuk ka pasur ndonjë njohuri për psikologjinë e sjelljes kriminale. Në jetë i ka mjaftuar të stërvitet mirë për t’u bërë futbollist profesionist e për të pasur mundësi të kënaqë teka të tilla, edhe duke kërkuar “qumësht dallëndysheje”. Vetëkuptohet, që ylli i Totenhemit, që u dhunua nga dy vjedhës, u godit në fytyrë, dhe iu morën bizhuteri e sende me vlerë, nuk mund ta kuptonte se nga “i mbinë” ata dy kriminelë që i vunë armën në ballë.
Për fat, shoqëria njerëzore ka ecur shumë përpara që nga koha e “gjuetisë së shtrigave të Salemit”, të djegies në turrën e druve, të prerjes së dorës po vodhe, apo të ndarjes së trupit në katërsh (quartering). Dele Ali nuk e di se një njeri mund të bëhet kriminel pa pasur aspak dëshirë, mjafton që tek ai të kombinohen faktorë të trashëgimisë (gjenetikë) dhe shoqërorë (socialë).
Shkencia e psikologjisë dhe e studimit të trurit të njeriut ka zbuluar se njeriu mund të sillet në mënyrë joshoqërore kur ka, p.sh. të pazhvilluar apo të dëmtuar korteksin prefrontal (prefrontal cortex), kur qendrat e trurit të quajtura amigdala (amygdala, emër i vendosur nga psikologjisti gjerman Karl-Fridrih Burdah) janë më të vogla sesa normalja, pasi këto qendra të trurit ndikojnë në memorjen, vendimmarrjen dhe përgjigjet emocionale (që përfshijnë frikën, ankthin dhe agresivitetin).
Dele Ali, po ashtu, nuk e ka kulturën e duhur për të kuptuar se njeriu mund të shkojë drejt një sjelljeje kriminale për shkak të strehimit të keq, shëndetit të keq, të ushqyerit të keq, dizavantazhit shoqëror-ekonomik, thuhet se kriminel mund të të bëjë lagjja dhe jo vullneti i individit, e për këtë mjafton të pyesësh ata të fëmijë që rriten në lagje “me emër të keq”. Psikologji kriminale mund të krijohet nga djemtë e shtresave të varfra që nuk kanë respekt, refuzojnë dhe përbuzin rregullat e të ashtuquajturës “shtresë të mesme”, ndërsa realizmi i majtë thekson se krimi shfaqet kur individët e shohin veten sit ë vendosur në pozicion më të keq sesa moshatarët e tyre.
Na vjen keq për shqetësimin e madh që ka pasur Dele Ali, pasi nuk është e lehtë të përballesh me dy njerëz të tillë, që të vendosin armën në kokë, dhe kjo gjë mund t’i ndodhë shumë prej nesh, të “shtresës së mesme”, por ai duhet të kuptojë se dhuna në këtë rast ndihmoi që ata të rinj të merrnin disa të mira materiale, që shoqëria e tyre nuk i përgatiti për t’i pasur. Nëse do të dojë të pyesë në Shqipëri, mund të kuptojë se përse në disa krahina banorët vidhnin, dhe të mos mendojë aspak se këta banorë qenkan më pak të vlefshëm sesa ata të krahinave të tjera.
Sfidanti.al