Një “puç” cilësohet rrëzimi i kreut të ATP-së në tenis, Kris Kermoudit (Kermode) pak ditë më parë. “Puçisti” numër 1 po cilësohet Novak Gjokoviç, presidenti i Këshillit të Lojtarëve dhe numri 1 i botës për meshkuj. Kundër tij kanë dalë edhe legjendat Rozher Federer e Rafael Nadal, që e quajtën gabim mosrinovimin e kontratës së Kermoudit, duke vlerësuar se puna e anglezit ishte shumë e mirë.
Faktet janë që Kermoud rriti ndjeshëm fitimet në tenis, që nga viti 2014 kur u caktua president i ATP-së, po ashtu rriti numrin e spektatorëve dhe sporti dukej në gjendje të shëndetshme. Përse Gjokoviçi doli kundër tij, siç thuhet? Besohet se serbi pati akuza për presidentin se ai po punonte më shumë për organizatorët sesa për tenistët, ndërsa thuhet se u pezmatua edhe se Kermoudi nuk mbështeti planet e tij për një turne ATP në Serbi.
Prej kohësh, mediat lajmëronin se ata nuk shkonin mirë bashkë, dhe se Gjokoviçi ia kishte thënë ankesat e tij anglezit, i cili i ishte përgjigjur se “nëse mund ta bësh këtë punë më mir sesa unë, urdhëro dhe bëje”. Nuk dihet se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i ATP-së, kur kontrata e dytë trevjeçare e Kermoudit të përfundojë në fund të vitit.
Sfidanti.al