E arriti atë që shumëkush e mendonte të pamundur. Edhe pse u përjashtua nga Australian Openi vitin e kaluar, e po ashtu edhe nga US Openi, sërish Novak Gjokoviç arriti në majë të botës së tenisit. Kampioni i madh nga Serbia triumfoi në finalen e “Rolan Garosit” ndaj norvegjezit Kasper Rud duke arritur titullin e 23-të Grand Slem në karrierë. Kjo do të thotë një më shumë sesa rekordi me 22 që e mbante Rafael Nadal dhe ai vetë. Edhe pse Rud ishte shumë më i ri, përsëri 36-vjeçari shfrytëzoi gjithë klasin dhe përvojën për të arritur një triumf bindës 3-0 me sete. Rezultati ishte 7-6, 6-3 e 7-5 në 3 orë e 18 minuta. Ky ishte titulli i 3-të i Noles në Paris, kuptohet shumë larg rekordmenit Nadal që ka 14, por gjithsesi kampioni nga Beogradi vazhdon rrugën për të qenë më i miri i historisë në tenis.
Sfidanti.al