Gjimshiti me golin e dytë sezonal, një mbrojtës-hero për Atalantën!

Një skuadër që nuk di të ndalet, dhe një futbollist që i ka kapur vërtet majat në karrierë. Atalanta dhe Berat Gjimshiti janë një dyshe kopertinash në Itali, ndërsa Seria A vazhdon të gëzojë për “Hirushen” e saj. Skuadra nga Bergamo e nisi aty ku e kishte lënë në mars, me fitoren 4-1 ndaj Sasuolos, dhe forcimin e pozitave në vendin e katërt të renditjes. Që do të thotë, në pozicionin e duhur për Championsin sezonin e ardhshëm. Gjimshiti, ndërkaq, realizoi golin e dytë në Serinë A këtë vit, të tretin në dy vjet me Atalantën, ndërsa në karrierë ka 14 rrjeta.

Me 51 pikë, është 6 mbi Romën dhe 12 mbi Napolin, ndjekëset më të afërta, që kanë të njëjtin numër ndeshjesh të luajtura si bergamaskët. Gjimshiti i dha avantazhin Atalantës në “Bentegodi”, duke shënuar që në minutën e 16-të, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi. Rrjetat e tjera ishin nga Zapata (31’), Burabia (autogol në 37’) e sërish Zapata në 66’. Sasuolo shkurtoi diferencën me Burabian në minutën e dytë shtesë.

Atalanta ka realizuar 74 gola në Serinë A, në 26 ndeshje, si askush tjetër këtë sezon, duke lënë prapa Lacion (60) e Juventusin (50), si dhe Romën (51), më shumë sesa skuadrat më të forta të Europës si Mançester Siti, Barcelona apo Bajerni.

Sfidanti.al