Gjimshiti humb Poloninë, por rrezikon edhe Anglinë, mbi një muaj mungesë!

Lufta ka edhe pasoja, dhe kjo e Budapestit mund të jetë vërtet e rëndë. Kombëtarja shqiptare ka humbur Berat Gjimshitin, të paktën për ndeshjen e së martës ndaj Polonisë në eleminatoret e Botërorit, pas dëmtimit të pësuar në “Arenën Pushkash”. Ishte minuta e 27-të e ndeshjes, kur qendërmbrojtësi u përplas me portierin Etrit Berisha dhe me mbrojtësin tjetër, Ardian Ismajli, duke u rrëzuar për tokë. Shqetësimi ishte i madh për të Gjimshitin dhe Berishën, por më shumë e pësoi i pari. Burime nga ekipi kombëtar bëjnë me dijë për Abc-në se lideri i mbrojtjes ka thyer krahun dhe se rrezikon të mungojë një muaj nga fushat e lojës, madje edhe më shumë se kaq

Kjo do të thotë se 28-vjeçari rrezikon seriozisht edhe për ndeshjen në Londër ndaj Anglisë, në 12 nëntor, edhe ajo për eleminatoret e Botërorit. Futbollisti u nxorr me barrelë nga loja, i zëvendësuar menjëherë nga Frederik Veseli, ndërsa në një spital të Budapestit iu dha ndihma e parë mjekësore. Mund të ketë ndërhyrje kirurgjikale dhe pastaj vijon riaftësimi që mund të jetë më shumë se një muaj. Mungesa e Gjimshitit është një goditje e rëndë për kuqezinjtë sidomos për sfidën ndaj Polonisë që është vendimtare për kualifikimin në plej of. Frika ishte për një dëmtim të mundshëm edhe të kapitenit Berisha, madje trajneri Reja nxorri në nxemje menjëherë Strakoshën, por portieri e vazhdoi ndeshjen normalisht.

Sfidanti.al