Është pak i sforcuar ky futboll. Një keqardhje e vërtetë që një stadium i mrekullueshëm rus të ketë kaq pak spektatorë kur në të luan kampionia e botës. Gjermania bëri debutimin e saj në Kupën e Konfederatave, një turne i vërtetë veror, me një fitore të vështirë ndaj Australisë. Në prani të më pak se 29 000 tifozëve, në fushë ishte një formacion krejt i ndryshëm nga ai që fitoi Kupën e Botës në Brazil, tre vjet më parë.
Jo portieri Nojer, jo Mertezaker, Ozil, Kedira, Kros apo Tomas Myler. Gjermania e të rinjve nuk bindi plotësisht në Stadiumin Olimpik të Soçit. Edhe pse kaloi shpejt në epërsi me golin e Lars Shtindlit, sërish u zu në befasi nga australianët modestë. Tomi Rogiç barazoi në mënyrë të merituar për të mbiquajturit “kangurët”, që gjithsesi nuk patën potencial për të shkaktuar një të papritur.
Julian Draksler i dha sërish avantazhin ekipit të trajnerit Lëv në fund të pjesës së parë, dhe Leon Gorecka shënoi golin e tretë menjëherë pas pushimit. Eksperimentet kanë kosto dhe kjo u kuptua kur Tomi Juriç shkurtoi diferencën për Australinë, dhe vuri në rrezik suksesin gjerman. Gjithsesi, kampionët e botës duhet të jenë të kënaqur. Ata fituan ndeshjen e parë në Kupën e Konfederatave, dhe po ashtu po fitojnë një brez të ri për kombëtaren.
Sfidanti.al