Për momentin, nuk ka të dytë si ai. Myrto Uzuni meriton lavdërimet maksimale për këtë vit, ndërsa shkëlqimi i tij në Ligën e dytë të Spanjës nuk ka mbarim. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi 2 gola për Granadën në fitoren e vështirë 2-1 ndaj Mirandesit në shtëpi, një ndeshje që u luajt dobët e që mund të humbej. Tashmë, ai ka 6 rrjeta në kampionat duke qenë Këpuca e Artë virtuale. Përpara ndeshjes, sulmuesi mori edhe trofeun e lojtarit më të mirë të kampionatit për muajin gusht, e shpreson që ta fitojë edhe në shtator. E përditshmja “Marka” e Madridit shkruan se dyshja Kajehon-Uzuni ktheu alegrinë tek Granada pas dy humbjeve radhazi në ligë.
“Sulmuesit tanë janë lojtarë me cilësi të lartë, – thotë trajneri Karanka, – Uzuni është shënuesi më i mirë, ndërsa bashkë me Kajehonin janë një dyshe shumë e fortë. Sa më shumë të luajnë bashkë, aq më të mirë do të bëhen. Uzuni, por edhe të tjerët, na kanë dhënë shumë, por mund të bëhen edhe më të mirë”.
Për beratasin vazhdon një sezon me të vërtetë i veçantë, padyshim më i miri i karrierës. Ai ka realizuar 6 herë në kampionat, duke qenë golshënuesi më i mirë, dhe kjo tejkalon gjithçka që ai bëri tek Ferencvaroshi në Hungari. Pasi shënoi shkëlqyeshëm ndaj Rasingut të Santanderit, dhe pasi pati shpërthimin me 3 gola ndaj Vijarrealit B, erdhi radha që të ndëshkonte edhe Mirandesin. Tashmë, dy sulmues shqiptarë janë në vendet e para të ligës së dytë spanjolle. Përveç Uzunit, është edhe Armando Sadiku me Kartagenjën, që gjithashtu ka 12 pikë, ndërsa ka shënuar dy gola duke qenë tepër i rëndësishëm për ekipin e tij. Me gjasë, Uzuni dhe Sadiku kanë mundësi sezonin e ardhshëm të jenë në elitën e futbollit spanjoll.
Sfidanti.al