Tek Çelsi ishte një udhëheqës, dhe e tregoi me gola, asiste dhe trofe. Nuk është gjë e vogël që Eden Hazar cilësohet nga tifozët si “lojtari më i talentuar që ka luajtur ndonjëherë për ekipin tonë”, veçse kalimi tek Reali është një kategori tjetër sfide. Këtë ia kujtoi mesfushori i Mançester Sitit, Kevin De Brujn, që gjithashtu është shok i Hazarit në kombëtare.
“Hazar ishte një lider me Çelsin, – tha De Brujn, pasi u lajmërua zyrtarisht kalimi i numrit 10 në Madrid, – por, tek Reali është shumë më e vështirë të jesh lider. Ai duhet të mësohet me faktin se atje do të jetë një nga lojtarët e tjerë të shumtë të skuadrës”. Jo gjithkush mund t’ia dalë të përshtatet, ndonëse Hazar cilësohet si futbollist tepër inteligjent. Jo më kot, madrilenët shpenzuan 130 milionë paundë stërlina (me këste) apo mbi 147 milionë euro për kartonin e tij, si dhe i ofruan mbi 23 milionë euro rrogë në sezon, në një kontratë 5-vjeçare.
Pas 7 vitesh në Premier Ligë, Hazari realizoi ëndrrën e fëmijërisë, që të luajë për Realin, për më tepër tani kur trajner është Zinedin Zidan, idhulli i tij i fëmijërisë. Në fotot e vegjëlisë dallohet qartë Edeni i vogël, me bluzën e Francës me numrin 10, që ishte ajo e Zidanit.
Sfidanti.al