Hazar në “Olimpin” e milionerëve futbollit, Reali e afron me “Zotat”

Do të fitojë 450 000 euro në javë në “Santiago Bernabeu”. Ky është lajmi që gazetat britanike japin për Eden Hazarin, i cili do ta ketë rrogën 400 000 paundë stërlina në javë në Madrid, që do të thotë mbi 23 milionë euro në vit. Ishte pak a shumë shifra e dhënë që më parë, dhe që tregon se presidenti Florentino Perez ishte i vendosur për të marrë një lojtar që kishte 10 vjet që e kërkonte.

Jo më kot do të paguajë gjithsej 147 milionë euro për kartonin e numrit 10 të Belgjikës, nga të cilat 100 milionë do të shkojnë menjëherë në llogaritë bankare të Çelsit, ndërsa 47 milionë të tjera do të pasojnë, mbi bazën e shpërblimeve të ndryshme, që janë lehtësisht të arritshme nga një yll si Hazari. Rroga që do të marrë tek Reali bën që talenti 28-vjeçar belg t’i afrohet lojtarëve më të paguar të botës, ndonëse nuk është ende barabar me Mesin, Nejmarin apo Ronaldon.

Sfidanti.al