Ljubisha Tumbakoviç nuk do të jetë më trajner i Malit të Zi! Lajmi vjen nga gazeta malazeze “Vijesti” e Podgoricës, pas mbledhjes-rrufe që mbajti kryesia e Federatës vendase të Futbollit. Presidenti Dejan Stankoviç, dhe drejtuesit e tjerë, e quajtën jo të ndershme që 68-vjeçari të vazhdojë detyrën pasi refuzoi të drejtonte kombëtaren në ndeshjen ndaj Kosovës për eleminatoret e Europianit.
Tumbakoviç, trajner serb, ishte nën presion të madh nga Beogradi, për shkak të marrëdhënieve tepër të tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës, madje sipas “Vijestit”, presioni ishte edhe mbi familjen e tij. Po për këtë shkak, ndeshjen e braktisën edhe dy futbollistët që luajnë me Crvena Zvezdën e Beogradit, Mirko Ivaniç dhe Filip Stojkoviç. Këta të dy janë malazezë, por me origjinë serbe, ndaj edhe trysnia mbi ta ishte tepër e madhe, aq më shumë që luajnë në Superligën e Serbisë.
Ndeshja në stadiumin e Buduçnostit përfumdoi 1-1, pasi Milot Rashica kaloi në avantazh Kosovën në minutën e 25-të dhe Stefan Mugosha barazoi në të 69-ën. Përballja ishte shumë e fortë dhe e bukur, me raste për të dyja skuadrat, sidomos për shqiptarët e Kosovës, që mund të kishin shënuar gola të tjerë me anë të Zenelit (11’), Muriqit (41’), Zhegrovës (63’), Alijit (64’) dhe Rrahmanit (81’), ndërsa malazezët rrezikuan më shumë pas pushimit. Pas dy ndeshjeve, Kosova ka 2 pikë, po aq sa Bullgaria e Mali i Zi, ndërsa kryeson grupin A Anglia me 6 pikë, ndaj 3 të Çekisë.
Sfidanti.al