Futboll dhe tenis, Spanja ka një vizitë të bukur pas miqësores

Në tenis thuhet “pikë, set, ndeshje”, kur shënohet pika përfundimtare e një përballjeje. Në ndeshjen ndaj Kosta Rikës nuk pati një fjali të tillë nga komentatorët, por thjesht një shije e lojës së tenisit, kur Garbinë Muguruza vizitoi futbollistët e kombëtares së Spanjës në stadiumin e Malagës. “Furitë e Kuqe” fituan 5-0 duke treguar se përse cilësohen si ndoshta favoritët për të fituar Botërorin e Rusisë, dhe në përfundim numri 2 i rruzullit në tenis për femra u bashkua me to. “U kënaqa duke parë këtë skuadër të madhe”, komentoi ajo në foton e postuar në rrjetet sociale.

Për fat, këtë herë Spanja nuk pati shqetësime lidhur me çështjen e Katalonjës, edhe pse gjendja vazhdon të jetë e tensionuar në Barcelonë dhe në gjithë rajonin që kërkon pavarësinë. Në përfaqësuese kjo nuk u ndje, të paktën kështu kuptohet, ndërsa në fushë ishin Pike, Iniesta, Buskets dhe Zhordi Alba, që të gjithë futbollistë të Barcelonës. Iniesta dhe Zhordi Alba, madje, ishin ndër autorët e golave, ndërsa të tjerët u realizuan nga David Silva (2) dhe Alvaro Morata.

Sfidanti.al