Një mbrëmje për Porzingisin, letonezi lë pas yjet në NBA

Kristaps Porzingis shkëlqeu edhe një herë fort dhe jo vetëm ndihmoi Nju Jorkun në sukses, por edhe fitoi duelin në distancë me superyjet e tjerë të NBA-së. Letonezi tepër shtatlartë shënoi 34 pikë në më pak se 27 minuta, ndërsa Niksët triumfuan në “Medison Skuer Garden” ndaj Sakramentos, me shifrat 118-91. Fitore e thellë dhe paraqitje e madhe e qendrës prej 2 metrash e 21 centimetrash.

Porzingis pati edhe 5 topa në tabela, 2 asistë, 2 bllokime gjuajtjesh të kundërshtarëve, si dhe nuk e humbi asnjë herë topin. Për këtë, faqja zyrtare e NBA-së i dha vlerësimin prej 31 pikësh, që ishte më i larti i mbrëmjes së fundit. Rivali më i afërt i tij ishte Stefën Kërri i Golden Stejtit, në fitoren e thellë 135-114 ndaj Filadelfias. Kërri shënoi 22 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 9 asistë. Kërri pati vlerësimin +29 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Kevin Durant, pati vlerësimin +24. Pas tyre ishte Xhejms Harden që shënoi më shumë pikë se të gjithë, por që mor vlerësimin +23, ndërsa Lebron Xhejms, me gjithë fitoren e Klivlendit, nuk mori “notë shumë kaluese”, vetëm +5.

Porzingis është shënuesi i tretë më i mirë i NBA-së në sezon, me 30.4 pikë për ndeshje, ndërsa para tij janë vetëm Janis Antetokumpo dhe Xhejms Harden. Letonezi është i treti edhe për bllokimet e gjuajtjeve të kundërshtarëve. Nju Jorku, pas shumë vitesh, ka bilanc pozitiv, me 7 fitore e 4 humbje.

Sfidanti.al