Gjërat mund të ndryshojnë shpejt, ndonëse tensione të tilla vështirë se mund të kalojnë kaq lehtë. Sidoqoftë, publiku francez shkoi të flinte i lumtur mbrëmjen e fundit pasi ekipi kombëtar i futbollit la prapa vuajtjet e muajve të fundit me një fitore të merituar. Nuk ishte lehtë ndaj Finlandës në “Stadë dë Frans”, nuk ishte e thjeshtë të tejkaloheshin 5 ndeshje pa fitore, por kjo u realizua me shifrat 2-0 falë dy golave të sulmuesit Antuan Grizman. Njeriu që po kritikohej, që jepej i çoroditur te klubet e kombëtarja, u bë heroi, apo siç thonë mediat, “u bë gjeli”. Jo keq për një njeriu që nuk i kishte ecur së fundmi, dhe që u paraqit si viktimë e klanit Mbape-Benzema. Ndoshta kalimi tek Atletiko e Madridit i ka hequr stresin dhe pasigurinë, dhe tani e ka mbledhur mendjen. Grizman realizoi në minutat 25 e 53, duke treguar sesa shumë “i ngjit” goli kur mban veshur fanelën e kombëtares. Ai ka 41 gola me “gjelat”, po aq sa Mishel Platini, ndërsa është vetëm 10 gola larg rekordit që mbahet nga Tieri Henri. Franca është tani e shkëputur 7 pikë në krye të grupit eleminator (ka 13), duke qenë shumë larg për Ukrainën, Finlandën apo Bosnjë-Hercegovinën e duke larguar disi shijen e hidhur të dy barazimeve radhazi 1-1, në Paris me boshnjakët dhe në Kiev me ukrainasit.
Sfidanti.al