Florian Marku kërkon fitoren në prani të 20 000 tifozëve në “Arenën Air Albania”!

E ka një brez të artë, por ambicia është për më shumë. Florian Marku është një nga shqiptarët e rrallë që kanë arritur pranë kulmit botëror, ndërsa synon titullin botëror, me ndeshjen e radhës që pritet në Tiranë. Lufta e tij e fundit ishte ajo ndaj uellsianit Kris Xhenkins në Njukasëll, një fitore me nokaut, që bëri që të mbante titullin në peshat e mesme të kategorisë ndërkombëtare IBF. Vetë Marku, tregon për televizionin “Skaj Sports” për ndeshjen e radhës, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë në “Arenën Air Albania”. “Unë mendoj se do të jetë rreth fundit të muajit gusht në Shqipëri, – pohoi boksieri, -në kryeqytetin Tiranë. Ne po punojmë dhe këtë javë ose javën që vjen, ne do ta njoftojmë zyrtarisht. Do të jetë diçka e madhe në një stadium futbolli”.

Cili pritet të jetë kundërshtari i tij në Shqipëri? “Unë do të ndeshem me cilindo që do të më afrojë më shumë me titullin botëror, – theksoi Marku, – Konor Ben është një boksier shumë i fortë, po ashtu Kris Kongo. Nuk e kam problem cili do të jetë kundërshtari, unë do të ndeshem me cilindo që të jetë. Natyrisht, duhet edhe që të më paguajnë mirë”. Boksieri i lindur në Lushnje, ka 12 ndeshje në boksin profesionist, duke mos pësuar asnjë humbje deri tani. Ai ka arritur 11 fitore, nga të cilat 7 me nokaut, si dhe ka vetëm 1 barazim.

Sfidanti.al