Në sportin, që në Shqipëri nuk njihet aq shumë, është në program një sfidë e fortë mes Anglisë dhe Indive Perëndimore. Njëri prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohëve, legjenda e Indive Perëndimore, Majkëll Holding, mbajti një fjalim drejtpërdrejt në televizionin “Skaj Sports”, përpara testit të parë, dhe tema ishte racizmi. Ndërsa, sportistët e të dyja skuadrave ranë dakord për t’u përgjunjur për 30 sekonda, në nderim të viktimave dhe vuajtjeve prej racizmit, Holding, mbajti një leksion të historisë së shoqërisë njerëzore.
“Edukimi është gjëja kryesore që kjo gjë të marrë fund, – u shpreh ai, – kjo gjë duhet bërë nëse duam që të mos shohim protesta të tjera si këto, dhunë si kjo. Kur unë them edukim, do të thotë të hedhim sytë pas në histori, pra që njerëzit të kuptojnë se këto gjëra e kanë rrënjën qindra vjet më parë. Çnjerëzimi (dehumanizimi) i zezakëve duhet parë atëherë kur nisi. Ka njerëz që do të thonë se kjo gjë ka nisur kaq kohë më parë, le të mos merremi më me këtë. Jo, ne nuk mund ta shmangim një gjë të tillë, dhe nuk ka shpëtim nëse shoqëria nuk e ka mësuar leksionin e historisë. Natyrisht, duhen edukuar të dyja palët, të bardhët e të zinjtë”.
“Shpëlarja e trurit ka ndodhur edhe me zezakët, edhe me të bardhët, – vazhdoi Holdingu, – Unë nuk jam ndonjë njeri veçanërisht fetar, por nëse do të shohim, p.sh. Jezu Krishtin, do ta shikojmë me sy të kaltër, me flokë të verdhë, lëkurë të çelët. A e dini ju nga e ka origjinën Jezu Krishti? A ka njerëz me këtë pamje, në ato vende ku ka lindur Krishti? Nëse shikon filmat e sotëm për Judën, ai del ezmer, i zi”. Holdingu ka qenë një lojtar i madh i kombëtares së kriketit të Indive Perëndimore në vitet 70-të dhe 80-të.
Sfidanti.al