Duket sikur në këtë klub ka mbërritur Mesia. Antonio Konte ka krijuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm tek Totenhemi, tek lojtarët, drejtuesit e tifozët, dhe shpresa është që trajneri italian të arrijë në Londër po ato triumfe të mëdha që pati me Juventusin, Çelsin e Interin. Me 14 trofe si lojtar dhe 9 si trajner, ai është një nga fituesit më të mëdhenj në historinë e futbollit, dhe jo më kot kthehet në Angli si kampion në fuqi i Italisë me Interin. Italiani tha fjalët e zakonshme në prezantim, por ky formalitet nuk ia zbeh aspak fuqinë e personalitetit. “Të jesh trajner i Totenhemit, – u shpreh Konte, – është një kënaqësi e madhe, dhe unë duhet që t’ia shpërblej klubit besimin që më dha. Filozofia ime e futbollit është shumë e thjeshtë, të luajmë sa më mirë, me shumë pasion për të kënaqur tifozët tanë. Po ashtu të jemi gjithnjë të fortë, pa ulje e ngritje. Çfarë kam fituar është e kaluara, unë dua të vazhdoj që të fitoj”.
Sfidanti.al