FIFA kërkon që çdo vend të emërtojë një stadium “Pele”, çfarë uljeje për legjendën!

Dikur, në Shqipërinë tonë “socialiste”, me të vdekur udhëheqësi i asaj kohe, Enver Hoxha, drejtuesit e tjerë të lartë në krye të Partisë së Punës (me Ramiz Alinë në ballë) nxituan të emërtonin “Enver Hoxha” sa më shumë institucione. U emërtua Universiteti i Tiranës, Porti i Durrësit e shumë të tjera, ndërsa u ngrit monumenti në qendër të kryeqytetit. Më pas, “tullumbacja” u shfry, dhe u kuptua se vlerësimin ta jep historia dhe jo pasardhësi. Në këtë vorbull duket FIFA dhe drejtuesi i saj, Xhani Infantino, të cilëve u ka shkuar në tru mendimi i pabesueshëm që t’i propozojnë çdo vendi anëtar që të emërtojnë një stadium si “Pele”.

Nëse legjenda do të ishte ende gjallë, apo do të pyetej në momentet e fundit, ai nuk do ta pranonte këtë respekt të imponuar. “Këngën ta ngre populli, jo qeveria”, thotë një shprehje e urtë, dhe emri i Peles do të jetë gjithmonë i pavdekshëm për atë që ai ka bërë për futbollin. Të detyrosh me “delikatesë” mbi 200 anëtarë të FIFA-s që t’i vënë një stadiumi emrin e Pelesë, do të thotë ta nëpërkëmbësh respektin plotësisht të merituar për “Mbretin”. Asgjë e imponuar nuk është e bukur dhe e drejtë.

Sfidanti.al