Federiko Gati: Unë, me fanelën që ka fituar Botërorë dhe Europianë!

Nuk dihet sesa iu drodhën këmbët në fushën e lojës. Federiko Gati u bë debutuesi i radhës për Italinë e trajnerit Roberto Mançini, duke merituar një vlerësim të lartë. Qendërmbrojtësi 23-vjeçar ishte titullar për të kaltrit në ndeshjen e barazuar 0-0 ndaj Anglisë në Uolverhempton për Ligën e Kombeve, dhe “La Gazeta delo Sport” i dha notën më të lartë në terren, 7. Diçka e jashtëzakonshme po ndodh me këtë lojtar që vetëm 6 vjet më parë luante në nivelin më të ulët të futbollit italian, në kategorinë e gjashtë e pastaj në të pestën, ku provoi Alesandrinë, Pavarolon, Salucon. Më pas luajti për Verbanian në kategorinë e katërt, në Serinë D, dhe në Serinë C, pra në kategorinë e tretë me Pro Patrian në verën e vitit 2020. Edhe pse ishte si mesfushor e si mbrojtës, Gati shënoi mjaft gola, falë edhe shtatlartësisë së tij 1 metër e 90 centimetra. Viti i kaluar e gjeti italianin e ri në Serinë B me Frozinonen, ku gjithashtu spikati aq sa për të u interesua Juventusi.

Rekordmenët e titujve në Itali ia blenë kartonin dhe e lanë si huazim tek Frozinone deri në fund të këtij sezoni, ndërsa mediat shkruajnë se trajneri Alegri do t’ia japë shansin Gatit që të provojë veten tek Juvja. Në 6 vjet, mbrojtësi ngjiti 6 kategori dhe u bë lojtar i Italisë. “Vetëm të jesh këtu është diçka e madhe, – tha ai, – për Italinë kanë luajtur lojtarë që kanë fituar Kupën e Botës dhe Kampionate Europianë. Është diçka shumë e veçantë që unë vij nga Seria B dhe luaj në fushë me lojtarë të tillë që kanë qenë në Champions. Në fillim ishte i emocionuar, por zakonisht kur hyj në fushë nuk dua t’ia di për askënd. Do të doja të kisha 1 000 ndeshje të tilla”.

Trajneri Roberto Mançini bëri një vlerësim të shkurtër. “Gatin e aktivizova sepse isha i bindur se e meritonte, – tha tekniku, – unë mendoj se ai do të jetë një mbrojtës shumë i mirë në të ardhmen”. Pritet që Gati të luajë shumë ndeshje për Italinë dhe po ashtu të ketë një karrierë të madhe për Juventusin.

Sfidanti.al