Me futbollin e ka mbyllur 8 vjet më parë, pasi dha emocione të forta. Erion Bogdani, rekordmeni i golave të kombëtares shqiptare, do të kthehet sidoqoftë në fushën e lojës, edhe pse thjesht për një ndeshje jo konkurruese. Ish-sulmuesi shqiptar është i ftuar në sfidën që do të luhet për nder të lënies së futbollit nga futbollisti i njohur rumun, Adrian Mutu. Sulmuesi kuqezi dhe Mutu kanë luajtur bashkë tek Çezena shumë vjet më parë në Serinë A dhe në Kupën e Italisë, dhe rumuni nuk ka harruar që ta përfshijë në ekip. Mutu ka parashikuar një ndeshje lamtumire në stadiumin e Kluzit në Rumani, dhe aty do të jenë lojtarë të shquar si Kanavaro, Makelele, Trezege, Xhilardino, Toni apo Haselbank, si dhe rumunë si Haxhi, Ganea, Radoi apo Stelea. Ekipet do të drejtohen nga trajnerë të njohur si Çezare Prandeli dhe George Haxhi. Bogdani luajti në Itali për 13 vjet, që nga viti 2000 deri në 2013, me ekipe të ndryshëm si Veronën, Kievon, Sienën, Çezenën, Rexhinën apo Livornon duke shënuar rreth 80 gola ndeshje. Për kombëtaren, ish-sulmuesi luajti 75 ndeshje dhe realizoi 18 gola duke qenë edhe shënuesi më i mirë në histori.
Sfidanti.al