Do të ishte një rekord që do ta bënte një legjendë të paprekshme. Rozher Federer arriti finalen e 11-të në Uimbëlldon, pas fitores në vetëm 3 sete ndaj Tomas Berdihut, dhe do të synojë titullin e 8-të-rekord, në finalen e së dielës kundër kroatit Marin Çiliç. Aktualisht, ylli zviceran ka po aq tituj në Londër sa dy gjigandët e tjerë, veterani britanik, Uilliam Renshou, dhe i famshmi amerikan, Pit Sampras. Edhe pse bën 36 vjeç në gusht, ai nuk ka humbur asgjë nga magjia e tij, që e ka bërë rekordmen të titujve Grand Slem, me 18 të tillë, ndaj 15 të Rafael Nadalit, atij që e ndjek më nga afër.
Kundër çekut Berdih, zvicerani nuk e pati të lehtë, por ia doli 7-6, 7-6 e 6-4, në një betejë të fortë në fushën qendrore të Uimbëlldonit. Në finale ai do të ketë një kroat që shërben shkëlqyeshëm dhe që pati një gjysmëfinale të jashtëzakonshme ndaj amerikanit Sam Kuerri, fituar 6-7, 6-4, 7-6 e 7-5. Federer u bë më i vjetri tenist në finalen e Londrës, pas australianit Ken Rouzuoll, ndërsa u shpreh se “ende nuk e besoj se kjo është e vërtetë”. Këtë vit, ai ka fituar edhe Australian Openin dhe dy turne të rëndësishëm Marsters, në Indian Uells dhe Majemi. Ai u ndihmua shumë nga pushimi që mori në Rolan Garos, duke qenë në formën e duhur fizike.
Sfidanti.al