Humbja e katërt në Euroligë dhe e dyta radhazi në Stamboll për Realin e Madridit. Një nga pretendentet kryesore për titullin kontinental u thye keqaz në fushën e Darushafakasë, 68-81 kundër një skuadre turke që kishte mundur me autoritet deri edhe kampionen në fuqi të Europës, CSKA-në e Moskës. Darushafakaja, si të gjitha skuadrat europiane, u mbështet tek lojtarët e saj amerikanë, nga të cilët Uanamejkër shënoi 27 pikë, dhe Klajburn 14. Turku Semih Erden dha ndihmën e tij me 7 pikë e 7 topa në tabela. Felipe Rejes ishte i vetmi ndër madrilenët që mund të shpëtojë nga kritikat, pasi shënoi 16 pikë dhe kapi 5 topa në tabela. Pas 12 javësh, Reali ka 8 fitore e 4 humbje.
Skuadra tjetër spanjolle, Baskonia, arriti një fitore të rëndësishme në Rusi ndaj Uniksit të Kazanjit. Rezultati 92-91 u vendos në fund kur baskërt fituan me një pikë diferencë periodën e katërt. Olimpiakosi ia doli në një provë aspak të thjeshtë në Lituani, ndaj ekipit historik, Zhalgiris në Kaunas. Fitoi skuadra greke 88-75, por gjithsesi, Zhalgiris është krenar pasi në fushë pati vetëm një të huaj, dhe të tjerët lituanezë. Në ndeshjet e tjera, Crvena Zvezda mundi Makabin, 83-58 dhe Broze Basket kaloi Anadolu Efesin, 91-83.