Euro 2020 e ka gjetur heroin e tij, kapitenin e Danimarkës, Kjer!

Veproi ashtu siç i takoi për rolin që ka dhe shiritin që mban në krah. Simon Kjer mund të quhet shpëtimtari i situatës në momentin e tmerrshëm të krijuar në fund të pjesës së parë të ndeshjes Danimarkë-Finlandë. Kapiteni danez vrapoi tek shoku i skuadrës, Kristian Eriksen, që ishte rrëzuar përtokë, dhe dha menjëherë ndihmën e shpejtë. Ishte Kjer që i hapi rrugët e frymëmarrjes mesfushorit 29-vjeçar dhe veproi për t’i ndihmuar zemrën që të punonte, të paktën sipas asaj që raportohet, dhe me shumë gjasë kjo mund t’i ketë shpëtuar jetën Eriksenit.

Më pas, qendërmbrojtësi i qendroi te koka shokut të ekipit, duke ndjekur punën e mjekëve dhe infermierëve. Jo vetëm kaq, por ishte ai që mblodhi shokët e tjerë të Danimarkës duke krijuar një mur njerëzor për ta mbrojtur Eriksnin nga vëmendja e padëshirueshme në atë moment aq të vështirë. Në vazhdim, ylli i Milanit shkoi pranë gruas së Eriksenit, Sabrina Kvist, duke e ngushëlluar e duke i dhënë shpresë. Padyshim që Europiani e ka gjetur heroin e tij, dhe ky është një hero i vërtetë, madje më shumë edhe sesa ata që bëjnë golat.

Sfidanti.al