Gjokoviç: Ndaj Nadalit, ndeshja ime më e mirë në “Rolan Garos”!

E cilësoi edhe një nga tre sfidat më të mira të karrierës së tij të gjatë dhe të shkëlqyer. Novak Gjokoviç i vuri notën “10 me yll” lojës që zhvilloi në fitoren 3-1 ndaj Rafael Nadalit në “Rolan Garos”. Numri 1 i botës arriti finale ku do të ndeshet me grekun Stefanos Cicipas, ndërsa iu deshën 4 orë e 11 minuta për t’ia dalë mbanë.

“Padyshim që kjo është ndeshja më e madhe që unë kam luajtur ndonjëherë në “Rolan Garos”, – tha më pas numri 1 i botës, – madje, një nga tri ndeshjet më të mira të gjithë karrierës sime. Kjo, duke marrë parasysh cilësinë e lojës, dhe sepse isha përballë rivalit tim më të madh në një fushë ku ai ka arritur triumfe kaq të mëdhenj, dhe ka qenë dominuesi në më shumë se 15 vjet. Atmosfera ishte e shkëlqyer, dhe jam i lumtur që u lejua publiku të qendronte deri në fund”.

Nadal pranoi se suksesi i rivalit ishte i merituar, ndonëse shtoi se pati një faktor që ndikoi. “Në fillim ai e nisi më keq, dhe bëri disa gabime dhe unë fitova setin e parë, – tha Rafa, – më pas kushtet ndryshuan. Fillimisht ishte më nxehtë, por me ardhjen e mbrëmjes ishte më pak vapë. Kjo favorizoi Gjokoviçin, por nuk dua të justifikohem. i tillë është tenisi. Lojtari që përshtatet më mirë me kushtet, fiton, dhe ai e meritoi fitoren. Ndonjëherë mund të fitosh, ndonjëherë të humbësh, por unë dhashë maksimumin. Ndoshta nuk ishte dita ime”.

Spanjolli mbetet në 13 tituj, por është padyshim “Mbreti” i Francës, pasi i ka që të gjithë rekordet, dhe në 108 ndeshje ka 105 fitore e vetëm 3 humbje. Serbi, ndërkaq, është vetëm 1 fitore larg Grand Slemit të 19-të në karrierë, që do ta linte vetëm 1 trofe pas Rozher Federerit dhe pikërisht Nadalit.

Sfidanti.al