Nuk mund të jetë gjithmonë në nivele të larta. Elseid Hysaj pati këtë herë një mbrëmje “Jo” në Serinë A, në ndeshjen ku Lacio e tij rrezikoi seriozisht shanset për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Përfundoi barazim 2-2 në stadiumin “Olimpiko” ndaj Leçes modeste, në vazhdim të momentit negativ të kryeqytetasve pas humbjes në “San Siro” ndaj Milanit. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare shkaktoi penalltinë, që më pas Leçe e humbi, ndërsa nuk mundi të gjente veten për asnjë moment. Në minutën e 58-të, trajneri Mauricio Sarri e zëvendësoi futbollistin me Pelegrinin, ndërsa Lacio arriti të paktën të barazonte në fund.
Vlerësimet e mediave italiane dhe europiane ishin të këqija. “Eurosporti” shkruan se Hysaj gabon në gjithçka, ndonëse Imobile u kthye te goli në stadiumin “Olimpiko”. Më pozitiv vlerësimi i “Skaj Sportit”, i cili i jep mbrojtësit kuqezi një notë të pranueshme 6, ndonëse asnjë lojtar tjetër i Lacios nuk mori notë më të ulët se kaq. Kritika edhe nga “tutomerkato.ueb”, i cili e akuzon shqiptarin se provokoi penalltinë, dhe se nuk e bëri dot aspak detyrën që iu ngarkua. Lacio ka 65 pikë, por duke pasur pranë skuadrat milaneze, Inter e Milan, ndaj edhe rrezikohet kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al