Ekëlstoni flet për Hamiltonin, Ferrarin dhe numrin 1 të historisë!

Ka qenë bosi i Formula 1 për një kohë të gjatë. Një 89-vjeçar si Berni Ekëlstoun padyshim që di shumë, aq më tepër me 70 vjet në këtë sport, në të gjithë rolet. Tashmë i tërhequr, ai pyetet për Ljuis Hamiltonin, dhe thotë se kampioni i botës nuk duhet të shkojë tek Ferrari. “Tek Mercedesi ai ka gjithçka që i duhet, – u shpreh anglezi veteran, – tek Ferrari do t’ia nisë nga e para, duhet të mësojë gjuhën, plus që italianët nuk po i zgjidhin problemet e tyre”.

Hamiltoni është pranë fitores së titullit të 7-të botëror, që do të ishte një barazim i rekordit të Shumaherit, është shumë pranë rekordit të fitoreve, që e mban po Shumaheri, me 91 (Ljuisi ka 84), si dhe ka thyer rekordin e Shumaherit për vendin e parë në prova, duke pasur tani 88. Gjithsesi, Ekëlstouni mendon se kjo nuk do të vlejë shumë për të qenë piloti më i mirë i të gjitha kohëve. “Pëlqej Alen Prostin, që nuk pati ndihmë nga skuadra dhe doli 4 herë kampion i botës, madje mund të kishte dalë edhe dy herë të tjera, – tha 89-vjeçari, – pëlqej shumë Nelson Pikenë, Stirling Mosin, padyshim Huan Manuel Fangion”. Përsa i përket Ferrarit, Ekëlstouni thotë se skuadra italiane nuk po drejtohet siç duhet sepse “Binoto është një inxhinier shumë i mirë, por jo një shef, unë do të merrja Briatoren që do të zgjidhte problemet, por do të bënte që Ferrari të dukej si pronë e vetja”.

Sfidanti.al